Odise Roshi ka lënë pas dëmtimin që e mbajti jashtë fushave të lojës në muajin e fundit dhe sot është kthyer përsëri të ndihmojë ekipin e Sakariaspor në rrugëtimin drejt Superligës turke.
Roshi nuk aktivizohej që në javën e parë të prillit, kur la fushën e lojës në pjesën e parë të takimit ndaj Altaj.
Ai ishte i dëmtuar dhe nuk mundi të ndihmonte skuadrën e tij në këtë periudhë, teksa Sakariaspor po lufton për të siguruar një vend në play-off për ngjitjen në Superligë.
Sot, mesfushori u aktivizua në fillimin e pjesës ë dytë të sfidës në transfertë ndaj Erzurumspor.
Ekipi i tij fitoi 1-0 dhe për momentin mban vendin e katërt në renditje, plotësisht brenda zonës së play-off për ngjitjen në elitë, kur mbeten edhe dy javë deri në fundin e fazës së rregullt të kampionatit.