Milani është në një moment shumë kritik të sezonit, sa i përket Serisë A.
Skuadra e drejtuar nga Pioli, kampione në fuqi, aktualisht e sheh veten jashtë zonës që të garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Një situatë shumë e pazakontë për ekipin që këtë të shtunë ka një sfidë shumë delikate në “San Siro” ndaj Lacios. Një rival direkt për zonën Champions ku çdo hap fals do të bënte thuajse të pakapshëm bardhekaltrit dhe ulte ndjeshëm shanset që kuqezinjtë të shohin veten në katërshen e parë të Serisë A.
Por pikërisht në këtë moment tifozeria duket se po kërkon t’i japë shtysën skuadrës. Jo me kontestime, por me mbështetje. Kjo tregohet edhe nga shifrat mbresëlënëse që kanë regjistruar tifozët në “San Siro:”, ku këtë të shtunë sipas mediave italiane, pritet të jenë të paktën 72 mijë tifozë të pranishëm për të ndjekur ndeshjen ndaj Lacios.
Një mbështetje e cila vazhdon padyshim edhe si pasojë e ecurisë së jashtëzakonshme të ekipit në Champions, ku në mesjavë luhet derbi ndaj “kushërinjve”..