Pep Guardiola nuk do të flejë i qetë pak ditë para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve ndaj Real Madrid.
Trajneri i Manchester City ka parë se si ekipi i tij ka humbur për dëmtim në ndeshjen ndaj Lids, një nga lojtarët më në formë në këtë pjesë të sezonit.
Natan Ake, i kthyer në një pikë fikse të rreshtimit të “qytetarëve” dhe një nga më të spikaturit edhe në ecurinë në Ligën e Kampioneve, u ul në fushën e lojës pas një problemi muskulor në minutën e 54-t të duelit. Ai nuk mund të vazhdonte më dhe Guardiola u detyrua ta zëvendësonte.
Ake, duke luajtur mbrojtës krahu, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ekipin e Guardiolës, i cili e kishte planifikuar mes titullarëve për duelin me Realin.
Por tani duhet të pritet dhe të mësohet nga testet më të specializuara se si është situata e tij pas këtij dëmtimi, që mund të sjellë ndryshime në rreshtimin për duelin e ethshëm të Champions.