Drita e Gjilanit dhe Ballkani i Therandës, nesër (15.00) do të ndeshen në derbin e madh të kampionatit.
Derbi drithërues në Gjilan! Drita - Ballkani, jetë a vdekje për titullin e kampionit
Lideri kërkon trepikëshin e titullit ndaj Ballkanit.
Kampioni në fuqi, Ballkani, udhëton vetëm për fitore dhe të barazohet me pikë me Dritën.
Një ndeshje që zgjon kureshtjen në gjithë vendin tonë, ku edhe mund të përcaktohet kampioni apo ashpërsohet lufta edhe më shumë për kreun e tabelës.
Drita kryeson me 66 pikë, tre më shumë se Ballkani në pozitën e dytë.
Kryetrajneri i Dritës, Akis Vavalis, kërkon kujdes të shtuar nga djelmoshat e tij.
“Besoj se nesër do të jemi në nivelin e duhur për këtë ndeshje dhe nuk do mendojmë për faktin që jemi tri pikë para tyre.
Dua t’i falënderoj tifozët për mbështetjen që na kanë dhënë kundër Llapit dhe patjetër shpresoj që do të na mbështesin edhe nesër në numër sa më të madh, pavarësisht që ne nuk e kemi stadiumin që mund t’i zë të gjithë”, ka thënë Vavalis.
Ilir Daja, kryetrajner i Ballkanit, ka matematikat e tij dhe beson e shpreson se nuk do të kthehen duarbosh nga Gjilani.