Ndeshja mes Zyrihut dhe Bazelit, një klasike e futbollit zviceranë, është mbyllur mes kaosit dhe protagonist kryesor i kësaj situate ka qenë mesfushori shqiptar Taulant Xhaka.
Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, në fund të sfidës ku skuadra e tij po mundej me shifrat 2:0, u bë protagonist negativ me sjellje që sigurisht do të hapin shumë diskutime e që do të sjellin dhe një pezullim të gjatë për të.
Xhaka nuk mbajti dot nervat kur luheshin minutat shtesë dhe në një diskutim me Markezano, i vendosi duart në fytyrë këtij të fundit.
Kjo bëri që gjyqtari t’i tregonte atij kartonin e dytë të verdhë dhe të largonte nga fusha me të kuq kapitenin e Bazelit.
Por Xhaka nuk u mjaftua me kaq, pasi ai duke dalë nga tereni i lojës, iu drejtua Katiç dhe me një gjest të ngjashëm me atë të famshmin e ZIdan ndaj Materacit, goditi me kokë në gjoks kundërshtarin i cili sigurisht u rrëzua në tokë.
Kjo bëri që në terren të shpërthente rrëmuja mes skuadrave dhe u ndëshkua me karton të kuq edhe Kryeziu e Burger. Por ndërsa gjyqtari vendosi qetësinë, ai u thirr nga VAR për të rishikuar pamjet e rrëmujës së krijuar në këto minuta.
Për çudinë e të gjithëve ai kërkoi që Xhaka të kthehej nga dhomat e zhveshjeve në fushë. Pasi mesfushori e bëri një gjë të tillë, gjyqtari anuloi kartonin e dytë të verdhë… për t’i dhënë direkt të kuqin mesfushorit, në një skenë me të vërtetë absurde.