Kolegji i Garancisë i Komitetit Olimpik Italian ka publikuar sot vendimin e argumentuar sa i përket çështjes së gjyqit sportiv të Juventusit me plusvalencat.
Një vendim i cili i kishte hequr bardhezinjve dënimin me uljen e 15 pikëve në renditjen e sezonit aktual të Serisë A, por që duket se tashmë sjell lajme aspak të mira për klubin torinez.
Mediat italiane shpjegojnë se në vendimin prej 75 faqesh, përcaktohet që rihapja e dosjes pas disa muajsh, ishte plotësisht e rregullt për shkak të fakteve të reja e kështu, nuk pranohej apelimi i Juventusit për anulimin e plotë të çështjes duke argumentuar se kishin kaluar afatet ligjore.
Nga ana tjetër, saktësohej se pikët e hequra nuk ishin në proporcion me argumentimin e dalë nga Apeli i Federatës Italiane. “Duket qartësisht orientimi drejt ridimensionimit të sanksionit për klubin, që mund edhe të kthejë çështjen te kërkesa e famshme për heqjen e 9 pikëve”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport”.
“Në këtë pikë, fjala i kalon Gjykatës së Apelit: e cila prezumohet se mund të mblidhet brenda fundit të majit për të caktuar sanksionin e ri.
Mbetet gjithsesi e hapur tema e përplasjes së afateve, pasi prezumohet që Juventusi dëshiron ta spostojë ndëshkimin në sezonin e ardhshëm sportiv, për të shpëtuar kualifikimin në Ligën e Kampioneve”, shkruan gazeta e njohur italiane.