Pas Voska Sport edhe Gostivari zyrtarisht ka siguruar hyrjen në elitën futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Voska Sport si kampione dhe Gostivari si i dytë, janë dy skuadra shqiptare që hyjnë në elitë.
“Voska Sport sezonin më të suksesshëm në histori e mbylli me një fitore të madhe si vendas 5:3 ndaj Detonit Plaçkovica.
Doli të jetë kjo një ndeshje me shumë gola, e ku fituesi u vendos që në pjesën e parë.
Të besuarit e trajnerit Berat Imeri ishin superior gjatë 45 minutave të para, duke e mbyllur atë me 4 gola në rrjetën e mysafirëve, falë "dopietave" të Alen Jasharovskit dhe golashënuesit më të mirë Behar Feta.
Ky i fundit gjatë pjesës së dytë realizoi edhe një gol tjetër, duke mbyllur këtë takim me "het-trik", që i mundësoi atij të kryesoj listën e golashënuesve me 25 gola. Vlen të theksohet se gjatë pjesës së dytë, trajneri Imeri shfrytëzoi të gjitha 5 zëvendësimet, duke ju dhënë mundësinë edhe disa prej futbollistëve me më pak minutazh.
Fitorja e sotme ishte e 22-ta sezonale, duke na mbajtur sërish në krye me 72 pikë, dy më shumë se Gostivari i vendit të dytë.
Xhiron e fundit, atë të javës së 30-të, ku shpresojmë të konfirmojmë edhe pozitën e parë, e zhvillojmë të shtunën kundër Borecit në Veles.”, shkruan në faqen e FC Voska Sport.