Baseli zhvilloi një pjesë të dytë fantastike, shënoi dy herë në “Artemio Franchi” dhe mposhti 1:2 Fiorentinën.
Gjysmëfinalja e parë e Conference League, u buzëqeshi helvetëve.
Taulant Xhaka, kapiteni i Baselit, dhuroi asistin e golit të barazimit, teksa përmbysja ndodhi falë realizimit të Zeki Amdouni në minutat shtesë.
Trajneri Heiko Vogel vlerësoi karakterin e djemve të tij, ndërkohë që theksoi pas ndeshjes se Baseli ka 49% shanse të kualifikohet në finale.
“Ma merrte mendja se do e kishim të vështirë të qarkullonim topin.
Pësuam gol, por më pas krijuam disa mundësi të pastra. Duhet të përgëzoj skuadrën për ndeshjen që zhvilloi.
Kualifikimi? Ishte vetëm takimi i parë. Ne kemi shumë respekt për forcën e Fiorentinës. Mendoj se kemi 49% mundësi për t’u kualifikuar.
E përsëris: kemi shumë respekt për Fiorentinën. Do të na duhet një tjetër performancë e tillë në ndeshjen e kthimit”, deklaroi trajneri i Baselit.