Janë luajtur këtë të shtunë të gjitha ndeshjet e vlefshme për javën e 17-të të kampionatit të vajzave.
Ekipi i Vllaznisë së vajzave është një hap larg titullit të dhjetë kampion në kampionat, pas fitores 2-1 në transfertën e Apolonisë.
Një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja ekipet, teksa protagonistet absolute të takimit ishin Megi Doçi, Arlinda Kodra dhe Valentina Troka e Apolonisë me golat e tyre.
Tirana nuk lëshoi pikë as në këtë javë të 17-të, duke konkurruar denjësisht në këtë edicion të 14-të të kampionatit të vajzave.
Vajzat bardheblu mundën në shtëpi ekipin e Skënderbeut me rezultatin 10-1. Golashënueset e kësaj sfide ishin Kodra, Coka (2), Mbrati, Zarka (2), Alijaj, Metalla e Vishkulli (2) për Tiranën, ndërsa për Skënderbeun realizoi Kejsi Potomi. Ndeshja e javës së 18-të është vendimtare për Tiranën, që do të ketë përballë ekipin e Vllaznisë, që renditet me tre pikë më shumë në klasifikim se vajzat bardheblu.
Nuk gaboi as ekipi i Partizanit në sfidën kundër Teutës, që fitoi me rezultatin 7-0 në aneksin e stadiumit ‘Niko Dovana’.
Një tre pikësh shumë i rëndësishëm për të kuqet e trajnerit Ylli Shehu, që siguruan që në këtë javë vendin e katërt në kampionat. Nga ana tjetër, Kinostudio siguroi fitoren e radhës ndaj Kukësit.
Në takimin e luajtur në QSK Kamëz, kryeqytetaset mposhtën me shifrat 5-0 ekipin e Kukësit.
Në takimin tjetër të javës, Laçi mori fitoren e dytë radhazi në kampionat, teksa në këtë javë të 17-të mposhti Lushnjen në shtëpi me rezultatin 4-0. Me këtë fitore, Laçi siguron vendin e gjashtë në edicionin e 14-të të kampionatit të vajzave.
Ndeshjet e javës së 17-të:
Tirana 10–1 Skënderbeu
Teuta 0–7 Partizani
Laçi 4–0 Lushnja
Kinostudio 5–0 Kukësi
Apolonia 1–2 Vllaznia
Renditja aktuale
Vllaznia 51 pikë
Tirana 48 pikë
Apolonia 36 pikë
Partizani 31 pikë
Kinostudio 27 pikë
KF Laçi 22 pikë
KF Teuta 15 pikë
Skënderbeu 3 pikë
Kukësi 0 pikë
Lushnja 0 pikë