Bayern Munchen siguroi verën e vitit të kaluar me parametra zero shërbimet e Noussair Mazraoui, marokenin e dalë nga akademia e Ajaksit. Aty ku mbërriti kur ishte vetëm 8 vjeç.
25-vjeçari mund të mbulojë disa pozicione në fushë: duke nisur nga krahët e prapavijës e deri te roli i qendërmesfushorit.
Por, Mazraoui nuk ka përfituar shumë hapësira në sezonin e parë me rekordmenët e futbollit gjerman.
Edhe pse e nisi mirë.
“Jam i zhgënjyer me situatën time. Para Kupës së Botës isha titullar. Ndodhem në formë, por nuk po marr minuta. Unë nuk jam tashmë as një opsion i dytë apo i tretë”, deklaroi lojtari gjatë muajit të kaluar.
Shumë klube të njohura janë gati t’ia “rrëmbejnë” Bayernit lojtarin e kombëtares marokene, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Me anë të një deklarate të prerë pas fitores 6-0 ndaj Schalke 04, Hasan Salihamixhiq, drejtori sportiv i Bayernit, u shpreh: “Noussair nuk largohet, ai do të qëndrojë me ne”.