Erion Hoxhallari i dhuroi fitoren skuadrës së UTA Arad në Rumani teksa mbrojtësi shënoi me kokë pas një goditje këndi në minutën e 63-të. Ish-lojtari i Tiranës ishte në vendin dhe momentin e duhur teksa shfrytëzoi edhe një dalje të gabuar të portierit kundërshtar.
Për Hoxhallarin ishte goli i parë në Rumani me fanellën e UTA Arad, teksa mbrojtësi është shndërruar në një element me shumë rëndësi për rumunët dhe në këtë sezon është aktivizuar në 24 ndeshje.
Pjesë e UTA Arad në këtë sfidë ishte edhe një tjetër ish-lojtar i Tiranës si Idriz Batha teksa mesfushori u aktivizua në minutën e 46-të të pjesës së dytë.
Për UTA Arad, goli i Hoxhallarit është me shumë peshë pasi ky trepikësh e ndihmon tejmase skuadrën në garën për mbijetesë.
Kujtojmë se UTA Arad është pjesë e grupit të ekipeve që rrezikojnë rënien një kategori më poshtë dhe aktualisht gjenden në vendin e 13-të me 25 pikë.