Përmes një komunikate në faqen zyrtare, KF Llapi ka bërë të ditur se stadiumi “Zahir Pajaziti” do të pajiset me reflektorë nga sezoni i ardhshëm 2023/24.
Llapi ka njoftuar se ka dorëzuar në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) projektin për rregullimin e mëtejmë të infrastrukturës sportive të stadiumit.
“Është dorëzuar projekti për rregullimin e mëtejm të infrastrukturës sportive në stadiumin “Zahir Pajaziti” ku për qëllim ka vendosjen e reflektorëve në stadium dhe zhvillimin e ndeshjeve të edicionit 2023/24 nën ndriçimin e reflektorëve”, thuhej ndër të tjera në postimin e KF Llapit në “Facebook”.
Më tej, Llapi këtë e cilësoi si lajmin e vitit për tifozët llapjanë, ndërsa paralajmëroi se pajisja me reflektorë nuk do të jetë rregullimi i vetëm i infrastrukturës sportive të “Zahir Pajazitit”.
“Ky është lajmi i vitit për gjithë sportdashësit llapjanë që e kanë pritur me vite këtë infrastrukturë sportive dhe kjo nuk do të jetë e tëra”, thuhej në njoftimin e Llapit.