Phil Jones do të largohet nga Manchester United pas 12 vitesh të kaluara në “Old Trafford”, ka konfirmuar klubi, duke i dhënë fund një historie jo të lumtur për futbollistin anglez.
Jones nuk ka luajtur për United për më shumë se një vit dhe klubi vendosi të mos e aktivizojë opsionin në kontratën e tij për një sezon tjetër në “Old Trafford”, prandaj mbrojtësi 31-vjeçar tani është i lirë të kërkojë një klub të ri.
“Vitet e fundit kanë qenë vërtet të vështira.
Nuk mund ta mohoj, nuk fshihet kjo gjë.
Familja ime ka qenë shumë e rëndësishme për të më mbajtur në rrugën e duhur në përpjekjen për të qëndruar në formë.
Kam punuar shumë. U përpoqa të kthehesha sa më shpejt që të ishte e mundur", ka theksuar Jones.
Phil Jones bëri 229 paraqitje për Manchester Unitedin, por vitin e kaluar ai pati vetëm 5 paraqitje, ngase humbi sezonin 2020/21 për shkak të një lëndimi. Ai edhe në edicionin 2019/20 nuk kishte fat, pasi bëri vetëm tetë paraqitje.
Jones ishte pjesë e skuadrës së United që e fitoi titullin për herë të fundit në vitin 2013 nën drejtimin e Sir Alex Ferguson, që tani ka vetëm David de Gea ende në skuadër. Jones mbërriti në “Old Trafford” nga Blackburn si adoleshent për 16 milionë funte.