Apolonia nuk ka kohë të pushojë. Menjëherë pas humbjes me shifrat 3-1 në Vlorë, skuadra ka zbritur në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.
Rezultati në javën e fundit të kampionatit nuk është bërë aspak dramë.
Përkundrazi, atmosfera ka qenë e qetë dhe pozitive.
Në fund të fundit janë në “play off” dhe e kanë ende shansin për të kapur elitën.
Rruga është e gjatë dhe e vështirë, por jo e pamundur.
Pengesa numër 1 është sërish Flamurtari.
Ndeshja do të luhet në Vlorë, ndaj këtë herë do të udhëtojnë më të përgatitur.
Njohin terrenin dhe kundërshtarin.
Këtu ndoshta e vendosi theksin edhe Vlejko Dovedan, në analizën që zhvilloi. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 30 minuta.
Të pranishëm ishin të gjithë lojtarët, por edhe drejtuesit. Në klub janë munduar që të mbajnë lart moralin e skuadrës dhe u kanë bërë të ditur se ajo humbje nuk mund të ketë ndikim, pasi ishte thjesht dhe vetëm formalitet. Gjithashtu janë parë me kujdes edhe gabimet e bëra në mënyrë që korrigjimi i tyre të bëhet i mundur sa më shpejt.
Bardhejeshilët do të jenë me grup të plotë në këtë 90-minutësh. Nëse treshja e sulmit, M.Gjata, Umejiego dhe Maksuti, u lanë në stol të enjten, në “play off” do të jenë në fushë.