Pep Guardiola ishte në element pas barazimit të skuadrës së tij ndaj Brighton mbrëmjen e kaluar (1:1), duke mos fshehur kënaqësinë e tij për paraqitjen e Manchester Cityt, pavarësisht se “Qytetarët” nuk arritën të fitojnë.
Guardiola pushoi disa lojtarë të ekipit të parë, por kjo nuk ndikoi në nivelin e lojës së Cityt.
Kampioni aktual krijoi disa raste të pastra shënimi dhe nëse Haaland do të kishte ditën e tij të golave, triumfi do të ishte i garantuar.
Megjithatë, edhe kështu, strategu i trofeve është i kënaqur me atë që pa nga të përzgjedhurit e tij.
“Atë natë kemi pirë të gjithë alkool në Mançester në festën e titullit të kampionit. Vetëm dyzet orë më vonë, ne treguam pse jemi kampionë.
Nuk vura re asnjë rënie në intensitetin e lojës sonë dhe në realizimin e idesë në fushë.
Kjo gjë ma konfirmoi se sa shumë kemi përparuar dhe në çfarë niveli kemi luajtur gjatë gjithë sezonit. Arritëm titullin me rezultate të shkëlqyeshme në të gjithë Anglinë, askush nuk na dhuroi asgjë”, tha Guardiola.