Shumë lojtarë me emër e kanë konsideruar Borusia Dortmundin si trampolinë për të arritur majat me klubet më të rëndësishme nga kontinenti i vjetër, ndërsa Marco Reus i ka qëndruar besnik ekipit verdhezi dhe po e pret me padurim që kjo sakrificë për vite të tëra pritje në sigurimin e ligës të nuhatet më fort se kurrë.
Kapiteni i rivalëve të Bajernit nuk i ka kursyer thumbat karshi tifozëve bavarezë, të cilët shpresojnë në një ndalesë në duelin e javës finale.
“Ndihem shumë mirë që e kemi kampionatin në duart tona, ndonëse ende nuk ka përfunduar zyrtarisht.
U them tifozëve nga Mynihu të mos shqetësohen, nuk ka për të ndodhur asnjë surprizë në xhiron vendimtare.
Fishekzjarrët me ngjyrë verdhezi do të shpërthejnë ditën e shtunë. Pres shumë eufori dhe fytyra të lumtura.
Mungesa e gjatë e ka rritur dëshirën për të bërë tonin këtë kompeticion. Kemi dhuruar paraqitje dinjitoze prej kampioni në vitin 2023, thuajse perfekt”, e mbylli prononcimin 33-vjeçari në faqen zyrtare të klubit ku aktivizohet.
Distanca mes Dortmundit kryesues dhe Bajernit ndjekës është vetëm një pikë, çka e bën të detyrueshëm suksesin me Maincin në “Signal Iduna Park”, pavarësisht shifrave nga takimi Këln-Bayern Munih.
Futbollisti me numër “11” nën urdhrat e Edin Terziçit është inkuadruar në 24 prezenca në Bundesligë, e përkthyer me 6 asiste dhe të njëjtën kuotë shërbimesh ndaj shokëve.
Vetëm para disa ditësh Rojs firmosi kontratën e fundit me Dortmundin deri në verën e vitit 2024, e cila me shumë gjasa do t’i japë udhë rrugës për të varur “këpucët në gozhdë” si futbollist profesionist.