Manchester United e kaloi me sukses këtë sezon të Premier League para publikut në Old Trafford (ka edhe një ndeshje ndaj Fulham) teksa së fundmi argëtoi të pranishmit me triumfin 4-1 ndaj Chelseat.
Një trepikësh që i siguroi “Djajve të Kuq” kualifikimin në Champions League ndërsa konfirmoi se në këtë sezon, ndeshjet shtëpiake kanë qenë një nga “armët” më të forta për ekipin e trajnerit Erik ten Hag.
Në fakt, statistikat tregojnë se United ka fituar 14 nga 18 ndeshjet e këtij sezoni të Premier League në Old Trafford ndërsa sa i takon sfidave në të gjitha kompeticionet, “Djajtë e Kuq” kanë fituar 26 ndeshje duke humbur vetëm dy të tilla teksa disfata e fundit daton në tetorin e vitit të kaluar.
Vetëm skuadra e Sir Alex Ferguson në sezonin 2002-2003 ka bërë më mirë në shtëpi teksa në atë kohë United fitonte 27 ndeshje në Old Trafford. Duket se 70.000 tifozët e pranishëm në Old Trafford kanë dhënë efektin e duhur ndërsa trajneri Ten Hag dhe të besuarit e tij kanë rikthyer sërish entuziazmin.
Vetëm në sezonin e tij të parë me United, holandezi ia ka dalë t’i dhurojë një trofe skuadrës (Kupën e Ligës), ta dërgojë në finalen e FA Cup dhe ta rikthejë sërish në Champions League.
Një nga lojtarët më vendimtarë në këtë ecuri të United ka qenë padyshim Marcus Rashford që përjetoi sezonin më të mirë në karrierë duke shënuar 30 gola sezonalë.
20 të tillë kanë mbërritur pikërisht në Old Trafford, për të theksuar më pas se 13 nga 17 golat e tij në Premier League janë shënuar pikërisht në shtëpi para publikur të tij, shtuar këtu që United nuk ka humbur asnjë prej ndeshjeve ku Rashford ka gjetur golin në shtëpi duke barazuar vetëm një herë.
Tashmë, për sezonin e ardhshëm, trajneri Erik ten Hag do t’i duhet të rregullojë statistikat jashtë fushe pasi aty ku skuadra has vështirësi dhe në këtë sezon fitoi vetëm në tetë transferta duke pësuar mbi të gjitha edhe humbje që lënë gjurmë në histori si ajo me Brentford 4-0, Liverpoolit 7-0 dhe Cityt 6-3.