Titulli me PSG i shton vlerat Messit, argjentinasi barazon Dani Alves dhe lë pas Ronaldon

Futboll

Titulli me PSG i shton vlerat Messit, argjentinasi barazon Dani Alves dhe lë pas Ronaldon

Më: 28 maj 2023 Në ora: 09:01
Messi

Paris Saint-Germain i mjaftoi një barazim 1-1 (shënoi Messi) në transfertë ndaj Strasbourg për të fituar një javë para përfundimit të kampionatit, titullin e 11-të në histori. Me katër pikë diferencë nga ndjekësit më të afërt të Lens, Mbappe me shokë festuan edhe pse sërish peng mbetet Champions League.

Gjithsesi, trofeu i Ligue 1 rezultoi special për Lionel Messin me argjentinasin që koleksionoi trofeun e 43-të në karrierë.

Tashmë, “pleshti” së bashku me Dani Alves janë dy futbollistët më të titulluar në planet me Messin që sigurisht ka mundësinë në të ardhmen ta “parakalojë” brazilianin. Sakaq, me golin e shënuar ndaj Strasbourg, Messi shndërrohet në futbollistin me më shumë gola të shënuar në pesë kampionatet kryesore të Europës.

Argjentinasi preku kuotën e 496 golave duke lënë pas në këtë renditje Cristiano Ronaldon që tashmë aktivizohet në Arabinë Saudite. Kujtojmë se e ardhmja e Messit mbetet në pikëpyetje dhe vështirë se Kampioni i Botës do të qëndrojë në Paris, me Barcelonën që është në horizont, pa lënë mënjanë edhe ofertat faraonike nga Arabia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat