Roma doli me kokën ulur nga finalja e Europa League përballë Sevillas me verdhekuqtë që u mposhtën vetëm nga pika e bardhë përballë spanjollëve pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë përfundoi në barazim 1-1.
Ishte një disfatë e cila shkaktoi një zhgënjim të thellë në radhët e italianëve teksa një nga ata që e përjetoi më keq ishte Paulo Dybala i cili shënoi edhe golin e vetëm për Romën.
Argjentinasi nuk mundi t’i mbante lotët teksa për sulmuesin ishte finalja e dytë europiane e humbur pas asaj me Juventusin në finalen e Champions League ndaj Real Madrid në vitin 2017.
Ndërkohë, ai që ngushëlloi Dybalën ishte Nemanja Matiq i cili iu afrua “La Joya-s” duke i thënë se momente të tilla ndodhin në botën e futbollit dhe se duhet ta kalojë për t’u rikthyer edhe më i fortë në sezonin e ardhshëm.