Dy rrugët e Barcelonës

Futboll

Dy rrugët e Barcelonës

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 20:22
Lionel Messi

Lionel Messi duket më pranë se kurrë rikthimit të bujshëm te Barcelona.

Pas dy sezoneve në Paris, ku asnjëherë nuk u duk se ishte i lumtur dhe në rrallë raste u rrit në nivelet e tij të vërteta, “pleshti” gjithsesi është gati që të rikthehet në shtëpi dhe zyrtarizimi sipas medias franceze, por edhe asaj spanjolle, mund të vijë edhe brenda javës së ardhshme.

Vetë “pleshti” argjentinas ka lajmëruar një konferencë për shtyp për të shpallur edhe hapin e radhës së karrierës së tij.

Në Katalunjë pritja është e madhe, ashtu sikurse edhe frika se mos 1 miliard euroshi nga Arabia Saudite (oferta e klubit AlHilal) të mund të ofrojë surprizën e madhe.

Gjithsesi, në Spanjë nuk duken se i tremben kësaj mundësie të fundit, pasi tashmë Mesi është takuar edhe me Ksavin dhe së bashku sigurisht që nuk ka qenë vetëm një darkë për të shijuar pjatat që kanë pasur përpara. Madje, Barcelona duket se në bashkëpunim me 35-vjeçarin kanë edhe një akord të përbashkët, i cili përfshin edhe dy strategji të ndryshme.

STRATEGJIA 1 – E para lidhet me rikthimin direkt në Barcelonë. Lionel Mesi mund të vendosë që të kthehet me parametër zero, të ulë disi pretendimet e pagës, por fillimisht pritet vetëm që klubi katalanas të marrë nga Liga spanjolle verifikimin e buxhetit, në mënyrë që kur kontrata e re e Mesit të bëhet pjesë e buxhetit të jetë brenda kornizave që lejon ligji për t’u regjistruar në La Liga, sezonin e ardhshëm. Sigurisht që largimet e Serxhi Buskets, Hordi Albës apo edhe të tjerëve që pritet të bëjnë valixhet në verë ka hapur jo pak hapësirë për të lejuar kontraktimin dhe federimin e atij që do të rikthehet të veshë bluzën me numrin 10 dhe jo më 30-ën si në Paris, në “Camp Nou”.

Kjo është vërtet bombastike dhe në mes të rikthimit të Lionel Mesit te Barcelona mund të ndërhyjë Dejvid Bekham. Pikërisht kështu, pasi legjenda angleze nuk e ka fshehur kurrë që ëndërron të ketë në klubin në pronësi të tij, Inter Majemi, kapitenin e kampionëve të botës, por që kjo të ndodhë është gati që të bëjë edhe një sakrificë.

Nëse Barcelona nuk do të jetë në rregull me bilancet financiare, atëherë Inter Majemi dhe Bekham janë gati që të ndihmojë kuqeblutë, por deri në verën e vitit 2024 (pra Mesi të luajë vetëm për një sezon në Barcelonë).

Hileja qëndron në faktin që amerikanët firmosin me Lionel Mesin dhe më pas e huazojnë në “Camp Nou” për një sezon, duke i paguar njëkohësisht edhe një pjesë të rëndësishme të pagës, me premtimin se pas 2024-ës sulmuesi do t’ia shpërbleje duke i kthyer në Majemi dhe duke luajtur për të paktën edhe dy vite të tjera.

Gjithsesi, nëse kjo do të jetë e vërtetë duhet pritur vetëm pak ditë, derisa vetë futbollisti legjendar t’i lajmërojë të gjithë botës se cili do të jetë hapi i radhës në karrierën e tij,

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat