Fitorja e Europa League nga Sevilla u festua në Andaluzi, por edhe në pjesën bardhekaltër të kryeqytetit italian.
Tifozët e Lazios e shijuan dështimin e “armiqve” të Romës.
Më shumë se të gjithë Luis Alberto, i cili ka luajtur me Sevillan. Mesfushori i avancuar i Lazios, e festoi suksesin e shtatë në Europa League të skuadrës spanjolle me një story në rrjetet sociale.
Por, 30-vjeçari u përball me zemërimin e tifozëve të Romës, të cilët nuk i kursyen ofendimet për të dhe familjen e tij. Gruaja e Luis Albertos ka një përgjigje për ultrasit verdhekuq.
“Sa të sëmurë janë njerëzit, vetëm sepse unë festova për fitimin e Kupës së Europa League nga skuadra për të cilën bëj tifo prej një jete.
Gjëja më e keqe është se nuk kam marrë vetëm një kërcënim. Dua t’u them gjithë këtyre njerëzve që kanë shkruar: ju kam denoncuar!”, theksoi gruaja e lojtarit spanjoll.
Ndër komentet më ofenduese janë ata që i urojnë familjes së lojtarit të Lazios vdekjen nga sëmundje e keqe, por jo vetëm.