Kapiteni i Manchester City-t, Ilkay Gundogan ishte plot krenari pas paraqitjes së tij për rekorde në triumfin në finalen e Kupës së Anglisë ndaj Manchester United.
Gundogan shënoi të dy golat e City-t në fitoren 2-1, me Bruno Fernandes që shënoi golin e barazimit për United para fundit të pjesës së parë.
Kapiteni i City-t siguroi vendin e tij në histori me golin më të shpejtë në historinë e finales së Kupës së Anglisë, një goditje mahnitëse pas vetëm 12 sekondash duke eklipsuar golin e Louis Saha për Everton pas 25 sekondash kundër Chelseat në 2009.
Gundogan tha: “Të fitosh një finale është gjithmonë e veçantë.
Çdo trofe është i veçantë. Ky grup e meriton. Ne luajtëm shumë mirë, pjesa e dytë ishte e mrekullueshme dhe merituam të ngrinim një tjetër trofe.
“Natyrisht ne e dimë se si duam të luajmë në nisjen e lojës dhe synojmë ta bëjmë këtë, të bëjmë një pasim të gjatë për Erling dhe të përpiqemi të marrim një top të dytë.
Topi erdhi në mënyrë perfekte dhe unë thjesht duhej ta godisja. Natyrisht ishte një goditje mjaft e mirë”.
Për të ardhmen e tij, ai shtoi: “Nuk kam nevojë për këto lloj ditësh për t’u ndjerë i vlerësuar dhe i veçantë në këtë klub. E di këtë dhe kjo është arsyeja pse jam këtu prej shtatë vitesh. Asgjë nuk është vendosur ende, do të shohim se çfarë do të ndodhë".