Pep Guardiola fiton trofe si askush tjetër.
Kjo është siguria që kanë të gjithë sa i përket trajnerit të njohur spanjoll i cili ka ndërtuar një cikël mbresëlënës për Mançester Sitin.
Pasi fitoi titullin e radhës në Premier Ligë, ai ngriti lart sot edhe Kupën FA, ndërsa do të ketë mundësinë që më datë 10, të regjistrojë një arritje historike, duke u bëri tekniku i parë që siguron “treshen’ e famshme dy herë gjatë karrierës.
E megjithatë, ai nuk ka pse të ankohet edhe nëse nuk e fiton, pasi shifrat e tij janë mbresëlënëse sa u përket trofeve të fituar.
Në vetëm 14 vite karrierën në pankinë në futbollin profesionist, ai u ka “lënë targën” të tjerëve. Kupa FA e fituar sot ishte trofeu i 34-t për Guardiolën, i cili kështu është i treti në renditjen e të gjitha kohëve të trajnerëve profesionistë në botë.
Para tij me një trofe me shumë, është Mirçea Luçesku, i cili ka fituar 35 të tillë në 42 vite karrierë.
Ndërsa vendin e parë e mban Aleks Ferguson, i cili falë ciklit epik te Mançester Junajtid, ka regjistruar 49 trofe të fituar në 39 vite karrierë. Qartësisht, me ritmet e fitoreve të Guardiolës, edhe rekordi i Sër Aleks mund të thyehet shumë shpejt.