Ndeshja e stresit luhet nesër (15.00) në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Interesim i madh për finalen e barazhit qoftë në Ferizaj qoftë në Prizren.
Përballen Ferizaj dhe Liria e Prizrenit.
Ferizaj synon mbetjen në elitë dhe Liria rikthimin pas disa viteve.
Ferizaj bën thirrje.
“Të dashur tifozë që kemi rrugëtuar së bashku për 36 xhiro, kanë mbetur edhe 90 minuta për ta vulosur arritjen e objektivit tonë.
Kjo javë ishte e mbushur me organizime; që të vetmin qëllim e kishim prezencën masovike të tifozerisë së Ferizajt në Podujevë.
Numër rekord i shitjes së biletave, përgatitje speciale nga UJQIT, e mbi të gjitha Podujeva pritet të vërshohet nga tifozët e zjarrtë të klubit tonë.
FC Ferizaj ju fton edhe juve që ende nuk keni biletë, që nesër të merrni rrugë e të vini në përkrahje të ekipit sepse biletat e tribunës kryesore do të shiten në hyrje të stadiumit.
Ju lusim që të jeni 1 orë para fillimit të ndeshjes në stadium sepse në këtë formë do i evitoni tollovitë që krijohen në afërsi e në hyrje të stadiumit!
UJQIT do të jenë mjeshtrit e spektaklit në tribunë, kurse për spektaklin poshtë do të përkujdesen lojtarët tonë përmes angazhimit deri në atomin e fundit!
FC Ferizaj, krenaria e qytetit”, njofton FC Ferizaj.