Erik Lamela fitoi Europa League me Sevillan në finalen përballë Romës, ish-skuadrës së tij. 31-vjeçari ka një lidhje speciale me klubin dhe tifozët italianë.
Sepse luajti me Romën në vitet 2011-2013. Me anë të një postimi në Twitter, sulmuesi i djathtë ka zgjedhur fjalë të bukura për tifozët e skuadrës së Jose Mourinhos.
“Unë e kuptoj dhimbjen tuaj, i kuptoj edhe ata që janë të inatosur me mua. Por ju them se asgjë dhe askush nuk do ta ndryshojë kurrë dashurinë që ndjej për fanellën verdhekuqe.
Jam krenar që e kam veshur dhe do ta dua gjithmonë Romën. Forca dhe faleminderit gjithmonë Roma”, shkruan futbollisti argjentinas.
Sevilla fitoi Europa League për herë të shtatë, si asnjë skuadër tjetër. Andaluzianët u konfirmuan të pathyeshëm në finale, duke i fituar shtatë finalet e turneut të preferuar.
Ndërkohë, disfata u përjetua keq në kampin kundërshtar. Mourinho, por edhe lojtarët e tifozët, protestuan ashpër ndaj kryesorit Anthony Tylor.
Arbitrimi i anglezit shkaktoi debate dhe polemika, me italianët që e cilësuan si personin përgjegjës për humbjen, kjo falë vendimeve të tij gjatë finales.