Kim luan ndeshjen e fundit me Napolin. Mbrojtësi koreano-jugor, që iu bashkua skuadrës së Spallettit në verën e kaluar, për të zëvendësuar senegalezin Koulibaly, do të largohet nga “Diego Armando Maradona” pas vetëm një sezoni.
Performanca fantastike e mbrojtësit Kim, jo vetëm që ndihmoi Napolin të rikthehet te titulli kampion pas 33 vitesh, por tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve të mëdha.
Një ndër to është edhe Manchester United, që sipas mediave pranë klubit napolitan, ka arritur marrëveshjen me De Laurentiis për të blerë kartonin e Kim Min Jae për shifrën e 60 milionë eurove.
Dëshira e napolitanëve ishte ta mbanin ende koreano-jugorin, megjithatë De Laurentiis nuk mundi të barazojë ofertën e ‘djajve të kuq’ për pagën vjetore të Kim, që ishte rreth 7 milionë euro në sezon.
Në kushte të tilla, hyn në fuqi klauzola në kontratë, që e lejon mbrojtësin të largohet kundrejt një shifre prej 60 milionë eurosh, të cilët Manchester United ka vendosur ta paguajë në arkat e Napolit.
Në këtë mënyrë, Eric Ten Haag do të ketë në dispozicion një mbrojtës shtatlartë dhe të fortë, që do të ketë detyrën të formojë digën bashkë me Lisandro Martinez e Varane, teksa nga “Old Trafford” do të largohet Harry Maguire.