Paolo Maldini dhe Ricky Massara raportohet se janë shkarkuar nga Milan, pas një takimi të tensionuar me pronarin Gerry Cardinale.
Ky takim kishte për qëllim të përcaktonte strategjinë për sezonin e ardhshëm, por burime të shumta pohojnë se ai shkoi shumë keq, veçanërisht midis Maldinit dhe shefit të RedBird, Cardinale.
Siç raportojnë mediet italiane, Maldini dhe krahu i tij i djathtë Massara janë shkarkuar nga Cardinale, në vend të sugjerimit fillestar që ata kishin dhënë dorëheqjen.
Kjo do të thotë një transformim total i strukturës në krye të klubit, ku Maldini dhe Massara kishin qenë në krye të transferimeve dhe negocimit të kontratave.
Ky do të ishte një largim i dhimbshëm për tifozët e Milanit, pasi Maldini ka qenë në klub gjatë gjithë karrierës së tij, fillimisht si lojtar dhe më pas si drejtor nga viti 2018.
Sipas raportimeve është emri i Igli Tares që po qarkullon se mund të zë vendin e Maldinit, pasi nuk do të zgjasë kontratën si drejtor sportiv në Lazio.