Shqipëria e minifutbollit shkruan historinë në Essen të Gjermanisë, duke e kaluar për herë të parë fazën e grupeve.
Kuqezinjtë e trajnerit Irtan Sejko barazuan në ndeshjen e tretë me rezultatin 0—0 përballë Kolumbisë dhe kaq i mjaftoi Shqipërisë për të avancuar më tej në botërorin e minifutbollit.
Në pjesën e parë skuadra kuqezi administroi në mënyrë perfekte barazimin dhe në disa raste vendimtar u tregua portieri Kejdi Myrtaj.
Në minutën e 9’ “gardiani” i Kolumbisë u shfaq i rrezikshëm me një gjuajtje potente, që u ndal nga Myrtaj. Portieri shqiptar ishte vendimtar sërish pas vetëm 3 minutash lojë, duke i thënë “jo” Christian Garson.
Edhe në fundit e pjesës së parë Myrtaj i tha “jo” portierit Ajala, që tentoi përsëri me një gjuajtje të befasishme.
Shqipëria e nisi më mirë fraksionin e dytë, me Reçin që provoi me një gjuajtje nga distanca por u ndal nga portieri i Kolumbisë.
Minutat më pas folën për Kolumbinë, që u hodh në kërkim të golit, megjithatë portieri Myrtaj ishte i pakalueshëm. Kombëtarja e minifutbollit u mundua të përfitonte maksimalisht nga hapësirat e skuadrës së Kolumbisë dhe në të 29-tën Kejdit Myrtaj provoi me një gjuajte nga porta në portë, por goditja e tij përfundoi jashtë.
Ndërsa në të 32-tën Kaca tentoi të realizonte, por u ndal nga portieri Ajala. Mundësia ideale për kuqezinjtë u shfaq vetëm pas 2 minutash, por goditja e Reçit u prit nga portier Ajala, ndërsa në të 37-tën Joan Duqi rrezikoi sërish portën e Kolumbisë, me portierin që u shfaq vendimtar.
Më pas Erald Mërtiri ishte shumë pranë realizimit me roveshatë, por goditja përfundoi jashtë.
Në fund Shqipëria ruajti portën e paprekur dhe avancoi më tej si e treta më e mirë e Grupit F me dy pikë të grumbulluara, teksa tani vëmendja shkon te sfida me eliminim direkt, aty ku Shqipëria do të përballet me Ukrainën, në datën 8 qershor, në orën 20:35.