Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, duket më i përfshirë se kurrë me Partizanin në muajt e fundit.
I pari ka qenë Engjëll Hoti. Mesfushori nuk ka kontratë me Partizanin, por ndryshe nga fundi i sezonit, rinovimi tashmë duket një mision shumë i mundshëm dhe kjo falë Demit. I vënë në dijeni të marrëdhënies jo të mirë të Hotit me ish-drejtorin Marini, presidenti ka kërkuar një takim kokë më kokë me të Kosovës.
Në tavolinë Demi është treguar i qartë se ai kërkon rinovimin me lojtarin dhe ky vendim nuk ndikohet nga askush tjetër. Kjo përfshirje e vetë presidentit e kanë shtyrë Hotin të mos marrë asnjë vendim për të ardhmen dhe tashmë pas largimit të Marinit dhe Kolelës, pritet që ai të rinovojë edhe për një tjetër sezon.
TEQJA – Portieri, i cili vitin e shkuar u huazua te Bylisi, ka pasur ofertë nga Dinamo.
Para se t’u kthente përgjigje bluve, Teqja, në respekt të viteve të kaluara te Partizani, por edhe të presidentit Demi, ka shkuar ta takojë dhe i është shprehur mbi mundësinë për të firmosur në anën tjetër të kryeqytetit.
Ka qenë vetë presidenti Demi, i cili i ka barazuar ofertën portierit dhe i ka premtuar një rol kryesor në skuadër. Me ardhjen e tij mund të themi se i hapet rruga e largimit Rexhepit, i cili vështirë se do të pranonte të qëndronte në stol..