Ajo që ka marrë formë në Milano, në 24 orët e fundit, ka qenë një revolucion autentik: Paolo Maldini dhe Milani janë ndarë. Një seri mosmarrëveshjesh në lidhje me ndërtimin dhe perspektivat e klubit kuqezi çuan në përçarjen e pashërueshme midis “Djallit” dhe atij që tani mund të përkufizohet si ish-drejtori teknik i Milanit.
Është vetëm çështje orësh dhe i njëjti skenar do të shohë edhe Frederic Massara si protagonist, elementi i dytë kyç i një drejtuesi që e ka udhëhequr Milanin drejt rikthimit në Champions League dhe mbi të gjitha drejt titullit numër 19, të fituar një vit më parë.
Një pamje e përgjithshme që përfundon, në këtë pikë, duke forcuar pozicionin e Giorgio Furlani, drejtorit menaxhues të klubit, i ndihmuar nga puna e Geoffrey Moncada, si dhe një pikë referimi për bordin e Milanit, i thirrur për t’i dhënë jetë të re projektit.
“Së pari dua të falënderoj Paolo dhe Ricky, të shpreh mirënjohjen e të gjithë bashkëpunëtorëve të Milanit për kontributin e tyre të rëndësishëm gjatë viteve, – tha Furlani për “Gazzetta dello Sport”. – Paolo ishte ndër lojtarët më të mëdhenj kuqezinj ndonjëherë dhe si menaxher, së bashku me Ricky, luajti një rol të rëndësishëm në arritjen e titullit tonë të 19-të. Na vjen keq që i shohim të largohen”.
Furlani më pas shpjegoi arsyet që çuan në këtë ndryshim: “Në klubin tonë i analizojmë vazhdimisht strategjitë dhe modelet më të përshtatshme për të siguruar që Milani mund të vazhdojë të përparojë brenda dhe jashtë fushës, për të konkurruar me ekipet kryesore në Evropë.
Elementi i parë themelor, e përsëris gjithmonë, është dhe do të mbetet futbolli. Pikërisht me këtë objektiv kemi vendosur të riorganizohemi, të krijojmë një grupi pune për pjesën teknike/sportive”.
Ndryshojnë strukturat, por jo misioni i klubit: “Ambicia jonë nuk ka ndryshuar, përkundrazi është forcuar. Duam të jemi konkurrues në majat e futbollit europian. Jemi në rrugën e duhur, por ka ende shumë punë për të bërë”.
Pra, krahas Furlanit dhe Moncada, figura e Stefano Piolit do të marrë akoma më shumë fokus, e konfirmuar nga pronarët në krye të klubit. Trajneri kuqezi është gati për të marrë një peshë specifike më të madhe edhe në tregun e transferimeve.
Kjo, me pak fjalë, është struktura e re e klubit, që synon të kujdeset për anën sportive: Pioli, Furlani dhe Moncada. Ata do të marrin vendimet e para, pas sezonit 2022-2023. Epoka e re e Milanit ka nisur zyrtarisht.