Në edicionin e dytë të projektit të FFK-së ”Girls just want to play football” (Vajzat duan vetëm të luajnë futboll), që mbështetet nga programin UEFA HatTrick, mikpritëse të radhës kanë qenë komunat e Fushë Kosovës dhe e Vushtrrisë. Fushë Kosova mori pjesë me15 shkolla (SHFMU), e ku janë përfshirë mbi 150 vajza, ndërsa Vushtrria mori pjesë me 19 shkolla, me mbi 190 vajza të reja.
Si gjithnjë Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike bashkë me profesorët e Kulturës fizike kanë kryer detyrat për organizimin dhe funksionimin sa më të mirë të garave të këtij projekti. Para fillimit të garave të pranishmit në emër të FFK-së i përshëndeti menaxherja e futbollit të femrave znj. Valbonë Gashi-Uka e cila mes tjerash tha:
”Fakti që ky është edicioni i dytë i projektiti “Girls just want to play footbal”, flet shumë për prioritetin e madh që jep FFK-ja dhe UEFA në zhvillimin dhe përparimin e futbollit të femrave e në veçanti të vajzave të reja siç jeni ju.
Një falënderim i veçantë shkon për Shoqatën e Pedagogëve të Kulturës fizike dhe profesorët që kanë bërë një punë të shkëlqyeshme në mbarëvajtjen e garave. Ju keni mundësinë që përmes këtij projekti të shpalosni gjithë talentin dhe dashurinë e juaj për lojën e futbollit”.
Në komunën e Fushë Kosovës në finale u ballafaquan SHFMU ”Mihail Grameno” me aneksin I të SHFMU “Mihail Grameno”, ku triumfoi aneksi I, me rezultat 4:1.
Ndërsa në Vushtrri në ndeshjen finale luajtën SHFMU ”Liria” dhe SHFMU ”Martirët”, ku më të mira ishin vajzat e SHFMU ”Liria” pasi arritën fitore me rezultat 3:0.
Në përmbyllje të garave në këto dy komuna anëtarja e KE, njëherësh kryetarja e komisionit të futbollit të femrave në adresimin e saj para pjesëmarrësve mes tjerash tha: ”Ne, si FFK, jemi të kënaqur me pjesëmarrjen dhe organizimin e mirë të garave dhe për këtë duhet falënderuar Shoqatat e Pedagogëve dhe profesorët e Kulturës fizike të të dyja komunave.
Gjatë garave u vërejt talenti i vajzave të cilat treguan se kanë kapacitet që në të ardhmen këto dy komuna të kenë klubet e tyre të vajzave. Me këtë do të pasuroheshin ligat e femrave dhe me këtë futbolli i femrave është në rrugë të mirë të zhvillimit dhe përparimit”.
Në fund të garave ekipeve fituese dhe ekipit të vendit të dytë iu ndanë kupat.