Klubi i Futbollit të Femrave “Mitrovica” ia ka dërguar në UEFA audio-incizimet, të cilat konfirmojnë tentim të kurdisjes së ndeshjes në kampionatin femëror të Kosovës.
Në ato audio-incizime temë e vetme e bisedës në mes futbollistes së Hajvalisë dhe asaj të Mitrovicës ishte mit-dhënia dhe mit-marrja për kurdisje të lojës në mes të këtyre dy ekipeve, që janë edhe rivale të vetme në futbollin femëror.
KFF Mitrovica duket se ndihet “viktimë” e kurdisjeve. Klubit mitrovicas duket t’i ketë humbur durimi pasi që institucionet e drejtësisë dhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), përpos fillimit të hetimeve, nuk kanë bërë diçka më shumë, KFF Mitrovica rastin e ka denoncuar në UEFA.
Ky klub i ka shkruar letër sqaruese rreth rastit UEFA-s dhe i ka dorëzuar në shtëpinë e futbollit evropian.
Hajvalia e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës te futbolli femëror, kurse Mitrovica përfundoi e dyta, por që e fitoi edhe Kupën e Kosovës.
Kështu, Hajvalia do të marrë pjesë në gara evropiane.