Dardanët kryejnë stërvitjen e fundit, gati për Rumaninë

Futboll

Dardanët kryejnë stërvitjen e fundit, gati për Rumaninë

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 19:03
Giresse e Rrahmani

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes kundër Rumanisë, e cila zhvillohet të premten në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në këtë seancë ka stërvitur edhe Edon Zhegrova, i cili ka vuajtur nga një lëndim, por që pas angazhimit të madh të tij dhe stafit mjekësor gjatë ditëve të kaluara ka arritur të kryejë pa pengesa stërvitjen e sotme.

Atmosfera në kampin e Dardanëve është mjaft e mirë dhe të gjithë presin që nesër të kenë paraqitje të mirë dhe me përkrahjen e tifozëve të arrijnë t’i gëzohen fitores së parë në këtë cikël kualifikues.

Para stërvitjes në konferencë për media janë paraqitur përzgjedhësi Alain Giresse dhe kapiteni Amir Rrahmani. Ky i fundit ka thënë se ndeshja me Rumaninë është tejet e rëndësishme, ngase përballë kanë konkurrentin direkt për kualifikim në Evropian.

“Kjo është ndeshja më e rëndësishme në këtë cikël kualifikues, pasi kemi përball konkurrentin kryesor për vendin e dytë. Rumania ka 6 pikë me plot meritë dhe shpresoj që ne të luajmë lojën tonë, të fitojmë dhe t’i afrohemi me pikë.

Kjo ndeshje e vendos shumë fatin e këtij grupi dhe pres përkrahje nga tifozët për ta mposhtur Rumaninë, në mënyrë që të mbajmë gjallë shpresat për kualifikim.

Synimi është ta fitojmë këtë ndeshje dhe do të japim gjithçka nga vetja për fitore”, ka thënë Rrahmani. Ai ka pranuar se në rast dështimi në këtë ndeshje atëherë 99 për qind Kosova do të jetë jashtë Evropianit.

Ndërkaq, përzgjedhësi Giresse ka thënë se të gjithë lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë ndeshjes.

“Besoj se ata do të futen në fushë me motivim të madh për fitore.

Kemi mungesa të rëndësishme, ngase Rashani është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit, derisa Zhegrova nuk është stërvitur disa ditë dhe është duke u rikuperuar.

Po shpresojmë që ai të jetë gati”, ka thënë Giresse.

Ai tutje e ka vlerësuar Rumaninë si një kundërshtare të fortë, me individë që mund ta bëjnë diferencën, por ka thënë se e kanë analizuar mirë lojën e tyre dhe do të japin maksimumin për fitore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat