Kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, është shfaqur sot para mediave për të folur për ndeshjen e kualifikuesve të Euro 2024 ndaj Moldavisë që kuqezinjtë luajnë nesër në “Air Albania”.
“Normalisht që Moldavia ka skuadër të mirë dhe që ka kualitet, në dy ndeshjet e fundit e ka treguar.
Nuk është se duhet të shpejtojmë lojën tonë për të shënuar sa më shpejt.
E dimë se një ndeshje luhet 90 minuta, ndaj duhet të jemi të qetë në fushë, të bëjmë atë që duhet bërë në stërvitje dhe mendoj se mund t’ia dalim mbanë.
Unë e di që jam më mirë djathtas, se e kam më të thjeshtë të luaj me të djathtën. Majtas është një plus, por nuk është se e bëj me shumë qejf as në Itali. Ma kërkon trajneri dhe bëj maksimumin, djathtas jam më i qetë dhe jam më i lirshëm me lojën.
Nuk ka ndeshje të lehta, ne e kemi provuar që me skuadrat e vogla, edhe pse në letër të lehta, e kemi pësuar.
Të gjithë e dimë që nuk ka të lehta, duhet përqendrim. Nuk duhet të na marrë entuziazmi dhe qejfi i tifozëve që të fitojmë sa më shpejt, kemi lojën tonë e lojtarët që duhet të shfrytëzojmë në aspektin sulmues, thjesht të bëjmë atë që na kërkon trajneri.
Edhe unë kam qejf që të kualifikohemi dhe të shkojmë në Euro 2024. Duhet të jemi në fushë, një skuadër kompakte dhe grup i fortë.
Nëse luajmë si ndaj Polonisë, do të kemi një rezultat të mirë ndaj Moldavisë. Po kuptojmë më shumë trajnerin, me kalimin e kohës po mësojmë atë që kërkon Silvinjo.
Po mësojmë si të futemi në fushë dhe të kemi taktikat tona të lojës dhe të shfrytëzojmë pjesët që trajneri ka vënë re që mund të jenë të rrezikshme.”, deklaroi ai.