Kombëtarja e Kosovës mbrëmë zhgënjeu të gjithë duke luajtur baras (0:0) me Rumaninë, në ndeshjen e xhiros së tretë të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në futboll.
Opinionist (ish gazetar sportiv) Fehmi Sylejmai thotë se Kosovës i duhet një profil si trajneri boshnjak Vahid Halilhoxhiq.
“Ish qendërsulmuesi i viteve të 70- ta të Velezhit të Mostarit (1971 – 1981), Vahid Halilhoxhiq, do të ishte zgjedhja më e mirë për të parin e Kosovës në futboll, duke e parë se selektori aktual Alain Giresse nuk po bind fare, e aq më keq janë rezultatet e deritashme jo të mira, gjë që praktikisht Kosova ka humbur shansin për t’u kualifikuar, ndonëse gjasat teorike ende ekzistojnë, por janë shumë të vogla.
Fehmi Sylejmani
Drejtuesit e lartë të futbollit të Kosovës, nuk duhet fare të humbin kohë dhe sa më parë të fillojnë bisedimet me Halilhoxhiqin”, ka thënë Sylejmani.
Më tutje ka treguar për trajnerin boshnjak se çfarë e veçon nga të tjerët.
“Boshnjaku Vahid Halilhoxhiq, ka një karrierë të bujshme si trajner, e veçmas si selektor i kombëtareve. Ai njihet si personalitet me autoritet të lartë sportiv, ku karakterizohet me tri postulatet kryesore të tij: disiplinë të rreptë, përgjegjësi të lartë dhe respekt për çdo kundërshtar.
Preferenca më e madhe e tij për aplikimin e sistemit të lojës është 4-3-1-2.
Halilhoxhiq është specialist i kualifikimeve për në botëror. Tri herë është kualifikuar me tri reprezentacione të ndryshme. Në botërorin 2010 e kishte udhëheqë Bregun e Fildishtë, në 2014 Algjerinë e kishte kualifikuar për botërorin e Brazilit, kurse ekipi i fundit ishte Maroku, që e kualifikoi për në botërorin 2022 në Katar.
Halilhoxhiq është një gërshetim i mirë i mentalitetit perëndimor dhe atij ballkanik, i cili flet gjuhën boshnjake dhe atë frenge.
Përveç këtyre tri kombëtareve Halilhoxhiq gjatë karrierës së tij 30 vjeçare si trajner ka udhëheq edhe kombtaren e Japonisë, si kundër edhe disa ekipe të njohura si Velezhi i Mostarit, Dinamo Zagreb, Trabzonspor, Lille, Rennes, Nantes dhe Paris Saint-Germain, teksa si lojtar ka luajtur në Velezh të Mostarit, Nantes dhe Paris Saint-Germain”, ka përfunduar Sylejmani.