Sergio Ramos i dha fund aventurës 2-vjeçare me PSG-në. Ish-kapiteni i Real Madrid nuk po nxitohet në lidhje me hapin e radhës që do të hedhë në karrierë.
Gjithsesi, një rikthim e tundon jo pak. Flasim për Sevillan, skuadrën ku hodhi hapat e para si futbollist.
Më pas erdhi transferimi në “Santiago Bernabeu”, me Ramos që fitoi gjithçka me Realin e Madridit dhe kombëtaren spanjolle.
37-vjeçari ka disa oferta nga Arabia Saudite dhe SHBA, por Marca raporton se ëndrra e tij e madhe është rikthimi në Andaluzi.
“Dua ta mbyll karrierën te Sevilla”, është shprehur qendërmbrojtësi vite më parë.
Dhe ky është momenti i duhur për t’u rikthyer në shtëpi.
Mes palëve nuk ka bisedime konkrete, por dëshira është e përbashkët.
Edhe tifozët shpresojnë që të arrihet akordi dhe ta shohin Sergio Ramos sërish në “Sanchez Pizjuan”.