U zhduk menjëherë shansi i parë për rimëkëmbje për kombëtaren italiane të Roberto Mancinit pas dështimit zhgënjyes për të marrë pjesë në Botërorin e Katarit. Në fakt, “Axurrët” nuk shkuan përtej gjysmëfinales së Nations League për shkak të eliminimit nga Spanja.
Një hap fals tjetër që sipas trajnerit Mancini nuk e ngadalëson rritjen e një kombëtareje kryesisht të re, në pjekuri të plotë:
“Rruga e re tashmë ka nisur sepse arritja në fazën finale të Nations League me një grup lojtarësh të rinj nuk është e lehtë. Në të njëjtën periudhë ishin ndeshjet e U20 dhe U21, u desh të linim disa djem në përzgjedhjen e të rinjve”.
Një eksperiencë që përveç Botërorit, ish-trajneri i Interit dhe Manchester Cityt e konsideron pozitive: ”Udhëtimi ishte i bukur, Botërori ishte e vetmja notë negative.
“Kemi arritur për herë të dytë në fazën finale të Nations League ku luajnë kombëtaret më të mira. Unë jam trajner i kombëtares dhe jam i lumtur pavarësisht gjithçkaje. Është normale që më vjen keq për humbjen e ndeshjes”.
Pas humbjes ndaj Spanjës, e cila do të duhet të përballet në finale me Kroacinë, ditët e fundit në Itali është diskutuar për nevojën e rinovimit sa më të shpejtë të kombëtares.
Në këtë drejtim, trajneri Mancini bëri të ditur ndryshimet e para të rëndësishme në formacion duke nisur me ‘finalen’ për vendin e tretë të planifikuar të dielën në orën 15:00 kundër Holandës:
“Është e vërtetë që disa lojtarë janë mësuar me një mbrojtje me tre lojtarë, por me mua ata gjithmonë kanë luajtur me katër lojtarë, kështu që nuk e kanë problem ta bëjnë këtë. Retegui? Nesër ai do të luajë i sigurt, unë do të bëj disa zëvendësime të tjera”.