Në Grupin E të kualifikueseve për Euro 2024, grup në të cilin gjendet edhe kombëtarja e Shqipërisë, Republika Çeke nuk gaboi në transfertë ndaj Ishujve Faroe teksa fitoi me shifrat 0:3.
Miqtë e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë aty ku shënuan dy gola me anë të Krejci dhe Cerny, respektivisht në minutat 15 dhe 44.
Në fraksionin e dytë, çekët e menaxhuan më së miri avantazhin madje duke gjetur edhe golin e tretë me anë të Cernyt që shënoi golin e dytë personal.
Pas kësaj fitoreje, Republika Çeke ngjitet në vendin e parë të Grupit E, me shtatë pikë pas tre ndeshjeve të luajtura, duke lënë pas Poloninë dhe Shqipërinë me nga tre pikë.
Vendi i katërt për Moldavinë me dy pikë dhe mbyllin grupin Ishujt Faroe me 1 pikë, me këta të fundit që do të presin Shqipërinë pas tre ditësh.