Tre ndeshje tre pikë për kombëtaren e Kosovës, një ecuri që pak kush e ka pritur për faktin se është menduar që të ketë më shumë pikë kur kihet parasysh përballjet e deritashme në Grupin I të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në futboll!
Ballafaqimi mes Bjellorusisë dhe Kosovës pritet me kërshëri që luhet nesër (20.45) në Budapest në kuadër të xhiros së katërt.
Kosova renditet në vend të katërt me 3 pikë, Bjellorusia në të fundit me 9 dhe Zvicra kryeson me 9 pikë.
Nuk ka tjetër alternativë përveç fitores në ndeshjen e nesërme, çdo rezultat tjetër ia zbeh gjasat Dardanëve për pozitën e dytë.
Analisti Genc Sermaxhaj, tha se është një ecuri zhgënjyese e Dardanëve në tre ndeshjet e para.
“Bota sot”: Kosova në tri ndeshje po aq pikë, si e sheh këtë ecuri?
Genc Sermaxhaj: Ecuri zhgënjyese e Kosovës në tri ndeshjet e para.
Kemi pritur me shumë meqë kemi luajtur me kundërshtarë që realisht kemi mundur të bëjmë më shumë.
Tri pikë janë pak dhe tashmë rrugëtimi për Euro 2024, është thuajse i pamundur.
“Bota sot”: A ndikoi faktori fushë në barazimin me Rumaninë apo sulmi nuk e kreu punën si duhet?
Genc Sermaxhaj: Të dyja ngapak, edhe fusha edhe lojtarët bashkë me trajnerit në skemat e tyre nuk funksionuan.
Dhe në një terren të tillë ekipit rumun i konvenoi për t’u mbrojt dhe për të marrë një pikë që për ta është pozitive sepse tashmë kanë 7 pikë dhe renditen të dytët pas Zvicrës.
Gjithashtu edhe lojtarët tanë nuk ishin në ditën e tyre më të mirë dhe kjo e gjitha ishte zhgënjyese.
“Bota sot”: Pse mendoni se është i pamundur kualifikimi kur dihet se deri në fund janë edhe shtatë ndeshje apo edhe 21 pikë të mundshme?
Genc Sermaxhaj: Matematikisht mundemi, praktikisht s’ka gjasa, sepse qasja, loja, idetë, lista e lojtarëve të ftuar, zëvendësimet, skema e lojës etj. lënë shumë për të dëshiruar.
“Bota sot”: Nesër kundër Bjellorusisë, e cila pësoi humbje me rezultat 2:1 nga Izraeli, a është Kosova favorite?
Genc Sermaxhaj: Nuk ka rëndësi të jemi tani favorit ose jo ndaj Bjellorusisë.
E gjitha çka duhet të bëjnë është fitorja nëse duhet të mbajnë pak shpresat gjallë.
“Bota sot”: Çfarë duhet të bëjë Kosova që të ndryshojë, të jetë më energjike:?
Genc Sermaxhaj: Gabimet e para bëhen në përzgjedhje, pastaj në ide e sistem të lojës, pastaj në ekipin startues e zëvendësime.
Tani duke ia shtuar edhe rezultatet jo të mira dhe pa motiv është e vështirë të ndryshohet ndonjë gjë. Gjithsesi duhet të nxjerrin nga vetja më të mirën për vazhdim.
“Bota sot”: A mendoni se Vedat Muriqi e Milot Rashica qe një kohë të gjatë nuk janë në nivelin e duhur dhe a duhet t'i jepet rasti lojtarëve të rinj?
Genc Sermaxhaj: Duhet të luajnë lojtarët në formën më të mirë.
Të dy ata e shumë tjerë janë pa formë kur bëhet fjalë për paraqitje tek Kosova, por problemi vazhdon prapë… kush mund të zëvendësoj ata? Lojtarë që nuk janë as për së afërmi nivelit të ligave dhe ekipeve ku ata luajnë.