Pas fitores me Moldavinë të shtunën, Kombëtarja shqiptare do të rikthehet sërish në fushë nesër për ndeshjen e tretë të grupit E ndaj Ishujve Faroe, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.
Në prag të kësaj ndeshje, në një konferencë për mediat dolën trajneri i Kombëtares, Silvinjo dhe mesfushori Ylber Ramadani, të cilët folën në lidhje me këtë sfidë të rëndësishme për kuqezinjtë.
Trajneri Silvinjo vlerësoi kundërshtarin, ndërsa foli edhe për situatën në kampin kuqezi, ku theksoi se lojtarët shqiptarë që do të zbresin në fushë duhet të japin maksimumin në fushë për të arritur objektivin. Pavarësisht fitores në Tiranë kundër Moldavisë, trajneri Silvinjo u shpreh se nuk ka eufori në skuadër, ndërsa foli edhe për formacionin ndaj Ishujve Faroe.
“Fusha me bar sintetik mund të ketë vështirësitë e veta, por është e njëjtë për të dyja skuadrat dhe mesa kemi parë është në gjendje të mirë. Ne do të kemi një seancë stërvitore sot për t’u përshtatur për ndeshjen nesër, që unë e shoh si një ndeshje të vështirë. E kemi thënë prej disa ditësh që nuk ka ndeshje të lehta dhe ne po përgatitemi sa më mirë. Sa i përket formacionit, kemi një seancë të fundit sot dhe do të shohim gjendjen e lojtarëve dhe më pas do të vendosim. Kemi kohë deri nesër në mëngjes për të fiksuar 11-shen titullare. Sa i përket situatës, nuk ka eufori. E kemi theksuar dhe ritheksuar që kemi 6 finale përpara. Pres që lojtarët të vrapojnë me 100km/h që ne të arrijmë objektivin, pasi kjo është mënyra e vetme.”, tha trajneri Brazilian.
Ai shtoi se sfida me Ishujt Faroe do të jetë ndrysshe nga ajo me Moldavinë dhe se ballafaqimi me ta nuk do të jetë fare i lehtë.
“Ndeshja me Ishujt Faroe është diçka krejt ndryshe nga ajo me Moldavinë. Është një ndeshje shumë e vështirë. Mendoj që euforia nuk ka vend në skuadër sepse ndeshja me Moldavinë ka mbaruar për ne. Morëm 3 pikët, një ndeshje shumë e vështirë, por tashmë e kemi mbyllur atë kapitull. Kemi përpara gjashtë ndeshje të vështira, 6 finale. Nesër ndaj Ishujve Faroe kemi një ndeshje të fortë. Luajmë ndaj një rivali që mund të përshtatet gjatë gjithë kohës në fushë me skema të ndryshme. Është një lojë tepër fizike, lojtarët e Ishujve Faroe janë shumë të rrezikshëm sidomos në lojën në ajër dhe në goditje standarde.”, theksoi ai.
Mesfushori Ylber Ramadani ishte krah trajnerit Silvinjo dhe para mediave theksoi se nuk ka vend për eufori te Shqipëria para duelit kundër Ishujve Faroe, pasi ata do mundohen t’ua bëjnë të vështirë dhe të marrin pikë. Ramadani u shpreh se do të futen në fushë të japin maksimumin për të marrë tre pikët, pasi ky është objektivi i Kombëtares kuqezi.
“Ne jemi të gjithë profesionistë dhe këto dy ndeshje kemi ardhur t’i luajmë duke dhënë 100 përqindëshin në fushë. Besoj se do shkojmë aty të bëjmë maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Normalisht nuk duhet të kalojmë në eufori. Duhet të hyjmë në ndeshje me qasje shumë të mirë, duhet të hyjmë aty të marrim rezultat pozitiv, duhet të hyjmë të bëjmë maksimumin të gjithë që të shkojmë në Shqipëri me fitore”, theksoi Ramadani.