Në konferencën për shtypin në prag të sfidës me Islandën, Cristiano Ronaldo, kapiteni i Portugalisë foli për faktin se do të luajë ndeshjen e tij të 200-të me përfaqësuesen.
I pyetur nëse pret të shënojë edhe në këtë sfidë, ai komentoi:
“Në ndeshjen e 200-të do të jetë diçka e shkëlqyer nëse do të shënoj, por më e rëndësishmja është rruga jonë drejt kualifikimit dhe ekipi po ecën mirë.
Ne duam të vazhdojmë në rrugën e duhur, kemi luajtur tri ndeshje të mira.
Nëse shënoj, shkëlqyeshëm, nëse jo, më e rëndësishmja është të fitojë kombëtarja”.
I pyetur nëse ka një ndeshje të veçantë me kombëtaren, që i ka lënë më shumë mbresa, CR7 theksoi:
“Është e vështirë të përmendësh vetëm një ndeshje. Kam pasur shumë momente të bukura. Nuk mund të përmend vetëm një.
“Euro 2016”, Liga e Kombeve, por ka shumë momente të bukura, ndaj preferoj të them që ndeshja e radhës është më e bukura. Për mua është gjithmonë krenari të përfaqësoj kombëtaren.
Jam shumë krenar që jam i pari që do të luaj 200 ndeshje, është diçka që nuk e kisha imagjinuar kurrë”.