Kosova mbrëmë ka pësuar humbje të papritur me rezultat 2:1 nga Bjellorusia, në kuadër të xhiros së katërt të Grupi I të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në futboll.
Kjo humbje i kushtoi me shkarkim Alain Giresses nga posti i selektorit të kombëtares së Kosovës.
Lulzim Berisha, kryetar i tifozëve Dardanë ka reaguar.
“Kombëtarja nuk është klub. Fanella e saj djersitet, por edhe ndjehet.
Është krenari ta mbash atë, jo obligim sa për t’u grumbulluar.
FFK veproi drejtë me shkarkimin e Giresses, por nuk duhet harruar: tifozët duan angazhim me zemër, jo formal. Ata duan sukses.
Prandaj edhe e mbështesin e i mbështesin futbollistët. Siç kanë bërë ashtu edhe do të bëjnë, veçse duhet reciprocitet: lojtarët t’ua kthejnë tifozëve, me angazhim! Veç kësaj, ditëve në vijim do të kemi takim bashkëpunimi me FFK-në, për t’u koordinuar për të mirën e Kosovës.
Kosova përjetë dhe asnjëherë vetëm”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook.