Bukayo Saka ka bashkëpunuar me bamirësinë “BigShoe” për të financuar strehimin për 26 familje të prekura nga tërmeti në Turqi.
Pasi shënoi hat-trick-un e tij të parë profesional me kombëtaren e Anglisë kundër Maqedonisë së Veriut në një fitore 7-0 në “Old Trafford” të hënën mbrëma, sulmuesi i Arsenalit ka bërë sërish veprim të veçantë, këtë herë për heroizmin e tij jashtë fushës.
Në shkurt, një seri tërmetesh shkatërruese tronditën Turqinë, të cilët vranë shumë njerëz dhe lanë shumë të tjerë të pastrehë.
Saka ka bërë të pamundurën duke paguar strehimin për 26 familje të prekura nga fatkeqësia në Hatay, Adiyaman, Kahramanmarash dhe Malatya, në Turqinë Lindore.
“BigShoe” zbuloi kontributin e Sakës në një postim në “Twitter”, ku shkruhej: “Shumë njerëz humbën shtëpitë e tyre në tërmetin në Turqi. Së bashku me BigShoe, ndërkombëtari anglez @BukayoSaka87 financoi strehimin për viktimat: 26 familje të prekura tani jetojnë në një kontejner - duke përfshirë dhomat e gjumit, dhomat e ndenjes, kuzhina dhe banjë”.
“BigShoe” po punon për të ndihmuar fëmijët në mbarë botën dhe mbështetet nga disa yje të tjerë, duke përfshirë Antonio Rudigerin, Paul Pogban dhe Mesut Ozilin.
Vetë Saka financoi 120 operacione për fëmijë në Nigeri vitin e kaluar në bashkëpunim me “BigShoe” dhe ishte i etur për t’u dhënë një ndihmë të prekurve në Turqi gjithashtu.
“Kam parë lajmet shkatërruese në mediat sociale dhe në TV dhe e kuptova menjëherë se dua shumë të ndihmoj njerëzit e prekur nga kjo tragjedi. Të jesh në gjendje të kthesh diçka do të thotë shumë për mua”, tha ai.
Saka aktualisht po shijon pushimin e tij pas sezonit dhe do të kthehet në aksion me Arsenalin në një miqësore kundër Nurnbergut më 13 korrik.