Fshati më i madh në Komunën e Prizrenit, Zhuri është duke u bërë me stadium.
Ka qenë i pari i FFK-së, Agim Ademi që ka publikuar disa foto nga punimet që po vazhdojnë në këtë fshat.
“Zhuri po bëhet me stadium”, ka shkruar Ademi në faqen e tij zyrtare.
Ky stadium është duke u ndërtuar nga Federata e Futbollit të Kosovës së bashku me Komunën e Prizrenit.
Por përderisa edhe fshatrat po bëhen me stadiume, njëri nga qytetet më të mëdha në Kosovë, Gjilani është ende pa stadium.
MKRS dhe Komuna e Gjilanit kanë halle të tjera dhe nuk iu bie në mend për stadiumin e qytetit të Gjilanit, përkundër që dy skuadra nga ky qytet janë në garat evropiane.
Ka më shumë se një vit që punimet janë ndalur në stadiumin e qytetit në Gjilan dhe nuk ka shpresa se ato do të vazhdojnë.
Drita dhe Gjilani kanë zhvilluar ndeshje në stadiumin me bari sintetik, një stadium që nuk i plotëson fare kushtet për ndeshjet e Superligës.
Madje derbi më i madh lokal në Kosovë mes Dritës dhe Gjilanit ka filluar të zbehet shkaku që në dy vitet e fundit zhvillohet pa praninë e tifozëve.
Përderisa MKRS dhe Komuna e Gjilanit nuk janë në gjendje të lëvizin asnjë gur për vazhdimin e punimeve në stadiumin e qytetit në Gjilan, ndoshta do të duhej të kërkonin ndihmë nga FFK për të vazhduar projekti i ndërtimit.
Gjasat janë thuajse maksimale që edhe sezonin e ri dy skuadrat e qytetit të Gjilanit të luajnë në stadiumin me bari sintetik dhe kjo krejt për shkak të neglizhencës nga MKRS dhe Komuna e Gjilanit.