Mbrëmjet evropiane të qershorit kanë evidentuar mbi të gjithë Jasir Asanin dhe Kristjan Asllanin.
Dy lojtarët e kombëtares shqiptare kanë shënuar golat më të bukur të qershorit, duke magjepsur UEFA-n për nga mënyra e realizimit. Përveç rëndësisë në kthimin e avantazhit për Shqipërinë në transfertën me Ishujt Faroe në një moment crucial të takimit, ai i 1-2 i realizuar nga mesfushori i Inter është i një bukurie absolute.
E majta e kalibruar nën kryqëzimin e shtyllave, që përfundoi në rrjetë pasi u përplas në pjesën e brendshme të traversës, u evidentua mbi golin e Bukayo Saka në goleadën 7-0 të Anglisë ndaj Maqedonisë së Veriut, perlën e Arda Guler Turqi që mbylli 2-0 e Turqisë ndaj Uellsit e Roland Sallai që bëri finalin 2-0 me të cilën Hungaria likuidoi Lituaninë.
Asllani ndan fronin me një tjetër kuqezi, që me golin e shënuar ndaj Moldavisë mposhti edhe Elmas e Grant-Leon Ranos. Pas votimit, UEFA e shpalli fitues sulmuesin shqiptar që zhbllokoi ndeshjen kundër moldavëve.
Goli fantastik i shënuar nga 27-vjeçari, i pari i sulmuesit me fanellën kuqezi, është përjetësuar kështu edhe nga UEFA për kënaqësinë e lojtarit.
Dy goditje me të majtën, që ekzaltojnë aftësitë individuale të organikës kuqezi, por edhe dëshmojnë lirinë më të madhe taktike që kanë me brazilianin Sylvinho në bankinë.