Ishte kënaqësi të mirëprisja sot në zyrën time futbollistin tonë, pjesë të Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani.
Kështu e kishte nisur shkrimin Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili në këtë mënyrë ka përgëzuar futbollistin shkupjan, për dy paraqitjet e shkëlqyeshme me fanellën “kuqezi” në ndeshjet eliminatore të qershorit, në të cilat kombëtarja shqiptare regjistroi dy fitore.
Fillimisht “kuqezinjtë” në “Air Albania” në Tiranë shënuan fitore 2:0 ndaj Moldavisë, e ku njërin prej golave shënoi pikërisht Asani, ndërsa në ndeshjen e dytë, ata mundën Ishujt Faroe në transfertë me rezultatin 3:1.
Asani në këtë takim me Grubin u shoqërua nga babai dhe menaxheri i tij, ndërsa në shenjë falënderimi, tashmë “Shqiponja” nga Batinca Zv.Kryeministrit të parë të vendit, i dhuroi fanellën e tij të kombëtares shqiptare me numrin 9.
"Ishte kënaqësi të mirëprisja sot në zyrën time futbollistin tonë, pjesë të Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asanin.
E përgëzova Jasirin për dy paraqitjet e shkëlqyeshme në fitoret e kombëtares, për golin spektakolar të shënuar kundër Moldavisë dhe e inkurajova të vazhdojë punën e shkëlqyeshme në drejtim të avancimit të tij profesional në karrierë.
Ne do të vazhdojmë ta mbështesim në çdo hap të karrierës së tij, duke uruar që bashkë me shokët e kombëtares të arrijnë kualifikimin në Kampionatin Europian të Futbollit", ka shkruar Grubi.