Drita u shpall nënkampione e Kosovës sezonin e kaluar. Klubi gjilanas siguroi një tjetër biletë europiane, kompeticion ku janë rritur shumë vitet e fundit. Duke fituar eksperiencë, zhvilluar ndeshje të forta dhe kaluar ture.
Viktoria Plzen është rivali i radhës në Conference League.
Ndërkohë, objektivi i Dritës është rikthimi te titulli kampion sezonin e ardhshëm.
Blerim Krasniqi është afrimi i fundit në skuadër. Ish-sulmuesi i Apolonisë, Skënderbeut dhe Teutës, sezonin e kaluar e kaloi në Rumani tek ekipi i Miovenit.
Dy gola shënoi 26-vjeçari nga Kavaja në sezonin e parë në Superligën rumune.
Tani është gati dhe plot entuziazëm për aventurën e parë dardane.
“Jam shumë i lumtur për marrëveshjen e arritur me klubin Drita, një klub shumë profesional dhe model në Kosovë dhe më gjerë.
Kur klubi më ftoi të bashkohem, pa dyshim që ishte edhe dëshira e imja që të bashkëpunojmë së bashku.
Në momentin e parë që erdha, gjeta një komoditet maksimal nga të gjithë. Duke filluar nga drejtuesit, stafi i trajnerëve dhe bashkë lojtarët.
Nga të gjitha ofertat që kisha, nuk ngurrova ta pranoj ofertën e Dritës andaj mendoj që kam bërë zgjidhjen më të mirë.
Shpresoj shumë që ta ndihmojë klubin në arritjen e qëllimit. Do ta jap maksimumin tim që të bëj të lumtur tifozët e zjarrtë të klubit INTELEKTUALËT. FORCA DRITA!”, theksoi Krasniqi.