Përtej shumë gjërave motivuese, Egnatia aktualisht duket se debutimin e saj historik në Ligën e Konferencës, kërkon ta rrethojë edhe më gjëra të tjera interesante. Sot në Bolu të Turqisë, ku po zhvillon fazën përgatitore, të nisur që prej 20 qershorit, rrogozhinasit do të startojnë edhe ndeshjet e tyre miqësore.
Do të jenë 4 të tilla deri më 4 korrik, kur skuadra do të kthehet në qytetin e Rrogozhinës.
Bien në sy se të gjitha miqësoret do të jenë me rivalë potencialë, me të cilët kurrë më parë nuk ka pasur duele të kësaj natyre.
Sot pasdite do të përballet me skuadrën e Superligës rumune, FC Hermanshtad, ku bën pjesë edhe mesfushori Vesel Limaj, i cili ka luajtur në Superiore me Tiranën, Kukësin dhe Bylisin.
Në kampionatin e fundit, klubi rumun e mbylli në vendin e 11- të, duke i shpëtuar rënies nga elita. Miqësorja e sotme dhe tre të tjerat, i paraprijnë dy sfidave që do të luhen në Jerevan të Aremnisë ndaj Araratit më 13 korrik dhe ndeshjes së kthimit në Elbasan më 20 korrik.
Trajneri Edlir Tetova ka si synim që të provojë formacionin anti-Ararat që sot, ndërsa këto miqësore do t’i shërbejnë konsolidimit të grupit titullar, por sigurisht edhe mbajtjes po aq në tonus edhe të pjesës tjetër të skuadrës.
Përveç Hermanshtadit, janë planifikuar teste edhe me Shkupin dhe rusët e Orenburgut. Gjatë sezonit të kaluar, Egnatia dha prova të rëndësishme impenjimi, serioziteti e këmbëngulje në përmbushjen e objektivave në të dyja frontet.
Vlen të kujtohet se në kampionatin e fundit u rendit e treta, vend që e siguroi me diferencë pikësh shumë javë para finishit. Ndërsa në Kupën e Shqipërisë, arriti të shpallet fituese për herë të parë në historinë e saj, duke mundur në finale Tiranën.
HISTORIA – Me skuadra jashtë Shqipërisë, Egnatia numëron një numër të vogël ndeshjesh miqësore, vetëm 14. Shumica prej tyre janë madje me skuadrat kosovare, kur këta të fundit nisin ciklin e tyre të shpërthimit mbi një dekadë më parë.
Në fakt duhet thënë se nga ndeshja e parë më 11 shkurt 2004, fituar 2-1 ndaj Vllaznimit të Gjakovës, erdhën duke u shtuar miqësoret, sidomos pas vitit 2017. Një sfond sado modest ndeshjesh më kundërshtarë të ndryshëm, por duke u fituar përvojë sigurisht edhe nga takime të tilla.