Milani raportohet se ka përgatitur një ofertë për rikthimin e Romelu Lukakut në Serie A.
Sulmuesi belg e kaloi si i huazuar sezonin e fundit te Interi, teksa tani duhet të rikthehet te Chelsea – klub me të cilin ka kontratë deri më 30 qershor 2026.
Milani, që humbi garën me Interin për transferimin e Marcus Thuram, tani po synon të nënshkruajë me ish-sulmuesin e rivalit.
“La Gazzetta dello Sport” ka raportuar se “Rossonerët” kanë kontaktuar tashmë me Chelsean dhe kampin e Lukakut për të diskutuar rreth një transferimi të mundshëm të tij në “San Siro”.
“Blutë” thuhet se duan rreth 40 milionë euro për 30-vjeçarin, i cili duket se nuk ka vend në planet e Mauricio Pochettinos.
Sipas mediumit italian, Milani ka përgatitur ofertën – por, detajet nuk u zbuluan.
Romelu Lukaku gjithashtu ka një ofertë nga Al-Hilal, klub i cili i ka ofruar një marrëveshje tre-vjeçare me vlerë 30 milionë euro në sezon.