Dinamo po punon me kujdes për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri. Kryeqytetasit duan që të formojnë një ekip solid, me drejtuesit që nuk po nxitohen në merkato.
“Nëndetësja blu” ka siguruar shërbimet e Rustem Hoxhës, i cili ishte pjesë e Ballkanit në dy sezonet e fundit. Skuadër me të cilën fitoi dy tituj kampion.
Megjithatë, krahas mbrojtësit durrsak, nga Suhareka pritet që të afrohet dhe Stivi Frashëri. Portieri e mbylli aventurën në Kosovë dhe me gjasa do të kthehet në kryeqytet.
Po ashtu, dinamovitët pritet që të marrin dhe dy lojtarë nga Bylisi. Bëhet fjalë për brazilianin Lorran dhe sulmuesin Luis Kaçorri. Të dy janë në listën e dëshirave të stafit teknik dhe mësohet se drejtuesit janë pranë marrëveshjes me ta.
Kaçorri ishte autor i 6 golave në sezonin që u mbyll duke bërë mjaft mirë, ndërkohë që mbrojtësi brazilian ka zyrtarizuar largimin nga Bylisi pas 3 edicionesh.
Dinamo, që siguroi rikthimin në Superiore bashkë me Skënderbeun, po tregohet e kujdesshme në afrimin e lojtarëve, duke synuar që të marrë vetëm emra që janë të afirmuar dhe të njohur në kampionatin shqiptar.